Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), bazuar në nenin 24 të ligjit nr. 72/2012, datë 28.06.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, ka vënë në funksion Gjeoportalin e Ri Kombëtar, i cili ofron shërbimet e rrjetit në përputhje me këtë ligj dhe Direktivën INSPIRE të Bashkimit Europian.
Nëpërmjet Gjeoportalit Kombëtar ASIG ofron mundësinë e përdorimit pa pagesë nga institucionet publike, për kryerjen e funksioneve të tyre, të të dhënave gjeohapësinore të krijuara nga autoritetet publike përgjegjëse. Aksesi për shërbimin e shkarkimit (shkëmbimin e të dhënave) nëpërmjet Gjeoportalit Kombëtar ofrohet vetëm pas pajisjes së institucinonit publik me kredencialet e nevojshme (username, password).
Cdo institucion publik i interesuar për të përdorur shërbimin e shkarkimit duhet t’i dërgojë ASIG shkresërisht në rrugë zyrtare, personin/at përgjegjës të autorizuar për të përdorur shërbimet online, së bashku me formularin e plotësuar të regjistrimit. Personi/at e autorizuar duhet të jenë specialistë të fushës me qëllim që të jenë të aftë në përdorimin e shërbimeve të rrjetit.