Infrastruktura Kombëtare e të Dhënave Gjeohapësinore (NSDI) përfaqëson një sistem të integruar të dhënash gjeohapësinore, i cili u mundëson përdoruesve identifikimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor të marrë nga burime të ndryshme, në nivel lokal dhe kombëtar, në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Stadi aktual i zhvillimit të vendit kërkon informacion gjeohapësinor me cilësi të lartë, për menaxhimin optimal të burimeve dhe përcaktimin efikas të zgjidhjeve që do të garantojnë zhvillim të qendrueshëm.
Gjeoinformacioni sot paraqitet si një element kyç në proceset e vendimmarrjes, shkëmbimit të të dhënave dhe të komunikimit. Rritja e kërkesave të jetës dhe zhvillimi i teknologjisë ka kontribuar në bërjen e elementeve të gjeoinformacionit të detyrueshëm në një shoqëri moderne. Kjo teknologji do të arrijë potencialin e saj të plotë, vetëm kur qeveritë të vendosin për të maksimizuar aksesin në informacionin gjeografik nëpërmjet SDI-së.
Informacioni gjeohapësinor i përfshirë në një infrastrukturë të përbashkët, ofron mundësi të shumta në përmirësimin e shërbimeve publike dhe në të njëjtën kohë bën të mundur eliminimin e dublikimeve të të dhënave dhe mospërputhjen e tyre.
ASIG, ka filluar aktivitetin e tij për të krijuar Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore në Shqipëri, në përputhje me gjithë nismat dhe tendencat europiane. Mbështetja e dhënë nga partnerët norvegjezë (SK) është bazuar në praktikat më të mira të përdorura në Norvegji gjatë krijimit dhe zhvillimit të “Norvegjisë Dixhitale”.
Qëllimi i strategjisë është të krijojë një infrastrukturë sa më të përshtatshme, duke siguruar mbështetje për një zhvillim të qëndrueshëm, të shoqëruar me rritje ekonomike dhe shërbime efikase. Sigurisht, duke përmbushur në të njëjtën kohë nevojat dhe kërkesat e sektorit publik, privat dhe të qytetarëve në përgjithësi. Strategjia paraqet një kuadër brenda të cilit, politika të detajuara mund të zhvillohen për të siguruar përdorimin e gjerë të gjeoinformacionit në mënyrë që të shmangen përpjekjet e dyfishta dhe të zvogëlohet barra administrative.
Kjo strategji do të çojë në krijimin e NSDI-së në Shqipëri nëpërmjet realizimit të objektivave sipas fushave strategjike:
- Infrastruktura
- Bashkëpunimi
- Të dhëna dhe shërbime gjeohapësinore
- Standardizimi
- Korniza ligjore
- Sistemi gjeodezik referencë
- Financimi dhe çmimi
- Kërkimi shkencor, zhvillimi dhe edukimi
Impaktet e zbatimit të kësaj strategjie do të varen nga përfshirja e vazhdueshme e një grupi të gjerë partnerësh të sektorit gjeohapësinor. Gjithashtu palët e ndryshme do të punojnë së bashku për zbatimin e strategjisë dhe arritjen e qëllimeve tashmë të shpallura.
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) është angazhuar në kryerjen e rolit udhëheqës në zhvillimin e strategjisë dhe planit të implementimit lidhur me të. Roli kryesor i ASIG është lidershipi, zhvillimi dhe promovimi i infrastrukturës së përbashkët dhe një qasje e vërtetë bashkëpunimi me autoritetet publike përgjegjëse dhe palët e tjera të interesuara.