Skip to main content
NSDI

INSPIRE (Infrastruktura për Informacionin Gjeohapësinor në Iniciativën Evropiane) është një iniciativë e nisur, zhvilluar dhe miratuar nga Bashkimi Evropian më 14 Mars 2007, në bashkëpunim me shtetet anëtare dhe shtetet e asociuara. 


Qëllimi i kësaj direktive është përcaktimi i rregullave themelore, që synojnë zbatimin e infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor në Bashkimin Evropian, për politikat ekologjike dhe politikat që ndikojnë në mbrojtjen e ambjentit.

 

Direktiva INSPIRE ka për qëllim të ofrojë një shërbim të integruar të informacionit gjeohapësinor për përdoruesit. Ky shërbim duhet ti mundësojë përdoruesit identifikimin dhe përdorimin e informacioneve gjeohapësinore apo gjeografike nga burime të ndryshme, nga niveli lokal deri në nivel global, në mënyrë ndërvepruese. 

 

Me anën e kësaj direktive, kërkohet të bëhen të arritshme të dhënat relevante gjeografike, duke krijuar një bazë për zbatimin gradual të strukturës gjeohapësinore të harmonizuar të të dhënave, me synim formulimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin gjatë procesit të vendimmarrjes në nivel të BE-së. 

Nevoja për direktivën “INSPIRE” u shfaq kryesisht, për shkak të situatës së papërcaktuar të gjëndjes së përgjithshme dhe rregulloreve lidhur me të dhënat gjeohapësinore në Evropë. 

Gjendja e të dhënave gjeohapësinore në Evropë karakterizohej nga sa vijon:

  1. Shpërndarja dhe mungesa e disponueshmërisë së të dhënave të përshtatshme
  2. Mungesa e harmonizimit mes të dhënave të shkallëve të ndryshme gjeografike
  3. Shpenzimet e tepërta
  4. Përdorimi i pamjaftueshëm i standardeve (harmonizimi, sistemet e informacionit, shpërndarja e të dhënave dhe mbivendosja)
  5. Mungesa e koordinimit ndërmjet niveleve administrative që janë përgjegjëse për krijimin e të dhënave gjeohapësinore
  6. Mungesa e të dhënave të përshtatshme
  7. Kufizimet në lidhje me shpërndarjen e të dhënave (të drejtat e autorit, qasja e të dhënave, taksat, etj).

Faktorët e përmendur më lart pengojnë identifikimin, aksesin dhe përdorimin e të dhënave ekzistuese gjeohapësinore.

INSPIRE është një model interesant për zhvillimin jo vetëm të infrastrukturës teknologjike, por edhe të praktikave të përbashkëta dhe metodave të punës, nëpërmjet bashkëpunimit dhe partneritetit.

Infrastruktura e të dhënave gjeohapësinore nëpërmjet direktivës INSPIRE është orientuar dhe ndjek parimet:

  1. Të dhënat duhet të mblidhen një herë (nga një burim i vetëm) dhe të mbahen në nivelin ku mund të bëhet ruajtja e tyre në mënyrën më efektive
  2. Kombinimi i të dhënave gjeohapësinore nga burime të ndryshme evropiane të cilat duhet të jenë aktive dhe të shpërndara ndërmjet përdoruesve dhe aplikacioneve
  3. Informacioni duhet të mblidhet në një nivel të qeverisë dhe të ndahet mes gjithë niveleve të tjera
  4. Të dhënat gjohapësinore të nevojshme për administrim efikas, nuk duhet të vihen në dispozicion, vetëm në qoftë se përdorimi i tyre do të kompromentonte rrjedhën e drejtësisë, sigurinë publike, mbrojtjen kombëtare ose marrëdhëniet ndërkombëtare
  5. Është e nevojshme të mundësohet qasje e lehtë në të dhënat gjeohapësinore në dispozicion, vlerësimi nëse ato janë të përshtatshme për përdorim dhe arritjen e qëllimeve, së bashku me lehtësimin e kushteve për blerjen e tyre dhe përdorimin e mëtejshëm
  6. Të dhënat gjeografike duhet të jenë të thjeshta për tu kuptuar dhe interpretuar pasi ato do të kombinohen në një mënyrë të përshtatshme, duke lejuar vizualizimin në kontekste të caktuara, të përshtatura për përdoruesit


Grupi i të dhënave gjeohapësinore në kontekstin e direktivës duhet të jetë në formë dixhitale, të jetë pronë e autoriteteve publike dhe në lidhje me një ose disa prej temave të cilat janë të paraqitura më poshtë.

Të dhënat gjeohapësinore, të përcaktuara sipas Direktivës INSPIRE: 

Aneksi I

  1.    Sistemet koordinative referencë
  2.    Sistemet e rrjeteve gjeografike
  3.    Emërtimet gjeografike
  4.    Kufijtë e njësive administrative
  5.    Sistemi i adresave
  6.     Parcelat kadastrale
  7.     Rrjetet e transportit
  8.     Hidrografia
  9. Zonat e mbrojtura

 

Aneksi II

 

  1.  Modeli dixhital i terrenit
  2. Mbulesa e tokës
  3. Ortoimazhieria
  4. Gjeologjia

 

Aneksi III

 

  1. Njësitë statistikore
  2. Ndërtesat
  3.        Pedologjia
  4. Përdorimi i tokës
  5. Shëndeti i njerëzve dhe siguria e tij
  6. Infrastruktura urbane dhe shërbimet qeveritare
  7. Infrastruktura për monitorimin e mjedisit
  8. Infrastruktura industriale
  9. Infrastruktura bujqësore dhe akuakultura
  10. Demografia
  11. Zonat me përdorim të kufizuar
  12. Zonat me rreziqe natyrore
  13. Kushtet atmosferike
  14. Meteorologjia
  15. Oqeanet
  16. Detet
  17. Zonat ekologjike
  18. Habitatet
  19. Shpërndarja e specieve
  20. Burimet energjetike
  21. Burimet minerare

 

INSPIRE - Direktivën, rregullat, specifikimet e të dhënave dhe dokumente të tjera, mund ti gjeni në http://inspire.ec.europa.eu/.

hartë

të dhëna

shërbime

njoftime

ndihmë