Në Gjeoportalin Kombëtar të janë publikuar Ortofoto e Vitit 1999 dhe Ortofoto e Vitit 2001, të përpunuara nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, ASIG, si autoritet publik përgjegjës për temën "Ortoimazheria".
Ortofoto e Vitit 1999 mbulon një sipërfaqe prej rreth 5989 km2, për zonën e mbuluar nga imazhet e skanuara të fotografimit ajror realizuar në vitin 1999, dhe ka një shkallë mesatare fotografimi 1:15000.
Ortofoto e Vitit 2001 mbulon një sipërfaqe prej rreth 3373 km2, produkti i kësaj ortofotoje është në formatin pankromatik (bardhë e zi), për zonën e mbuluar nga imazhet e skanuara të fotografimit ajror, të realizuar në vitin 2001, dhe ka një shkallë mesatare fotografimi 1:10000, duke ndjekur procedurën e skanimit të fotografive ajrore.
Ortofoto 1999 dhe Ortofoto 2001 janë prodhuar në formatin GEOTIFF, në Sistemin e Referencës Gjeodezike, (KRGJSH), sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 669, datë 07.08.2013, i ndryshuar, dhe të dhënat e tyre janë konform standardit të miratuar me VKM-në nr. 397, datë 19.06.2019, për miratimin e dokumentit "Standardet Shtetërore për Specifikimet Teknike të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri - Tema: Ortoimazheria"
Informacioni gjeohapësinor i përftuar nga këto ortofoto, do të ndihmojë në përmirësimin e të dhënave kadastrale të pronave, të cilat janë thelbësore për investimet në zhvillimin ekonomik të vendit dhe sigurinë juridike të pronës, duke dhënë informacion të vlefshëm për zbatimin e Vendimit nr. 442, datë 18.07.2018, të Këshillit të Ministrave ”Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë e të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.08.1991 dhe të truallit funksional të tyre”.