Skip to main content
Lajme

Publikohet Ortofoto e Vitit 1994

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, ASIG, si autoritet publik përgjegjës për temën ”Ortoimazheria” ka realizuar dhe publikuar në Gjeoportalin Kombëtar, Ortofoton e Vitit 1994, për zonën e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, që mbulon një sipërfaqe prej 4591 km2.

Kjo ortofoto është prodhuar në formatin GEOTIFF, në Sistemin e Referencës Gjeodezike KRGJSH, bazuar në përcaktimet e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 669, datë 07/08/2013, i ndryshuar. Produkti i ortofotos është në formatin pankromatik (bardhë e zi) për zonën e mbuluar nga imazhet e skanuara të fotografimit ajror të Vitit 1994, të realizuar në periudhën Prill – Korrik 1994, dhe ka një shkallë mesatare fotografimi 1:10000, duke ndjekur procedurën e skanimit të fotografive ajrore (rreth 4200 fotografi ajrore). Në procesin e skanimit janë përdorur skanerë semi-profesionalë me të cilat janë skanuar kopje të këtij fotografimi, të printuara në letër me shkallë mesatare 1:10000.

Fotografimi ajror është kryer nga kompania Italiane “CGR srl” Parma, Itali, për llogari të Qeverisë Shqiptare, përfaqësuar nga zyra e Phare Program-PMU/IPRS (Project Menagment Unit/ Immovable Property Registration System), në Ministrinë e Bujqësisë.

Informacioni gjeohapësinor i përftuar nga kjo ortofoto, do të ndihmojë në përmirësimin e të dhënave kadastrale të pronave, të cilat janë thelbësore për investimet në zhvillimin ekonomik të vendit dhe sigurinë juridike të pronës, si dhe në zbatimin e Vendimit Nr. 442, datë 18.7.2018, të Këshillit të Ministrave ”Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë e të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991 dhe të truallit funksional të tyre”.

1orto94  orto2  orto3

hartë

të dhëna

shërbime

njoftime

ndihmë