Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) si autoritet publik përgjegjës për temën “Harta Bazë”, ka përditësuar në Gjeoportalin Kombëtar informacionin gjeohapësinor për shtresën “Qytetet (AQTN)”.
Prodhimi i këtyre hartave daton prej vitit 1957 deri në vitin 1993, ku azhurnimet e fundit janë bërë vetëm për nomeklatura të veçanta dhe janë të shënuara me ngjyre të kuqe. Hartat e shkallëve 1:500 gjenden në arkivin e ish ndërmarrjes Gjeologji-Gjeodezi, janë harta topografike me informacion të shumëllojshëm për objektet dhe lartësitë. Në to paraqiten elemente të detajuar të natyrës si, kanalet vaditëse e kulluese, ndërtesat, rrugët etj.
Planshetat e shkallës 1:500 janë krijuar me metodën takeometrike nga ish ndërmarrja Gjeologji-Gjeodezi. Detyra kryesore e kësaj ndërmarrje ka qenë krijimi i hartave dhe planeve për territoret ku shtriheshin qytetet dhe veprat e mëdha inxhinierike, në shkallë 1:500 dhe 1:1000.
Punimet e kryera janë mbështetur në sistemin shtetëror gjeodezik të ndërtuar nga specialistët e vetë kësaj ndërmarrjeje. Planshetat e publikuara së fundmi i përkatësin qyteteve Berat, Delvinë, Gjirokastër, Këlcyrë, Memaliaj, Përmet, Sarandë, Tepelenë dhe Dimal.
Të dhënat janë konform standardit shtetëror për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri, tema “Harta Bazë” i miratuar me VKM-në nr. 732, datë 27.11.2024.